Një bisedë mbi qytetarinë përtej kufijve dhe shoqërinë si toka e vlerave Falma Fshazi&Kimberly Bohman-Kalaja

Një bisedë mbi qytetarinë përtej kufijve dhe shoqërinë si toka e vlerave

Një nga gjërat më emocionuese e të qenët vizitor diku është të kuptosh sesa shumë gjëra ka për të mësuar nga ato që takon. Kam kaluar më se një dekadë duke jetuar jashtë vendit tim e mësuar çfarë mundem nga ata që e shohin botën ndryshe. Por kjo përmban në vete sfida. Gjuhët padyshim mund të mësohen, por gjuhët nuk munden, në vetvete a përkthim, të ofrojnë zbulime. Ato janë një mundësi për të kuptuar. Si një vizitore në Shqipëri e studente e gjuhës suaj, mezi pres të mësoj e sfidohem në gjithçka çfarë nuk di nga ky vend e njerëzit e tij.

Pak vite më parë, shkrova një libër, në të cilin studioja natyrën e dialogut dhe nevojën e tij për dije të thella. Kam kuptuar se mësoj më shumë kur gjej njerëz që duan të dialogojnë me mua, një dialog i vërtetë, që është shumë më tepër së dy njerëz që flasin. Dialogu në vijim është një moment zbulimi dhe mësimi për mua këtu në Tiranë. Jam me shumë fat që kam gjetur njerëz këtu, që kanë dëshirë të dëgjojnë pyetjet e mia, dhe të më ndihmojnë të kuptoj gjëra të cilat një të huaji i duken mitike. Jo rrallë mendoj se ç’biseduam janë mësime që duhet t’i marr me vete e t’i ndaj me çdo kënd që do të hyjë në një dialog.

Dialogu i mëposhtëm, përveç të tjerave, është rezultat i dëshirës sime të përballem me frikën që kam, se gjithandej nëpër botë ne mund të jemi duke humbur besimin në fuqinë e zërave individualë, dhe pse ne shohim në vazhdimësi sesi nuk janë veç idetë e atyre në pushtet që ndryshojnë botën ku jetojmë. Kam frikë se shumë nga ne, kudo, po harrojnë sesi ngrihet zëri. Ishte pas marrjes pjesë në një funeral këtu në Tiranë që me një miken time shqiptare fillova këtë dialog, i cili vazhdon si më poshtë:

Vizitorja: Vjet isha për herë të parë në një varrim në Shqipëri. Ishte një ditë e trishtë, padyshim. Për më tepër, ndërsa po ktheheshim nga varrezat e Sharrës, pashë qindra varre që gati sa nuk po mbuloheshin nga plehrat. Kjo mua më tronditi më shumë, m’u duk si një humbje më e madhe se ajo e një jete të vetme.

Vendasja: Në Shkodër varrezat e vajzave e djemve të rinj që ranë duke luftuar pushtuesin në Luftën e Dytë Botërore, janë vetëm pak metra larg vendit ku mblidhen gjithë plehrat e qytetit. Në fakt, është e vështirë të ndash varrezën me sheshin e plehrave. Sa herë e shoh ashtu ndjesia që po i vrasim përsëri më hidhëron e frikëson.

Vizitorja: Ndoshta është kjo që më tronditi dhe mua. Është të mos respektosh të vdekurit, të vrasësh kujtimin e tyre. Miqtë me të cilët qemë atë ditë aty më thanë se njerëzit hedhin plehrat dhe shteti nuk bën asgjë që t’i pastrojë. Unë thashë, pse nuk vijmë këtë fundjavë të pastrojmë sa mundemi? Ato qeshën.

Vendasja: Kur kanë qeshur, nuk di nëse ajo ka qenë një qeshje apo një qarje si qeshje. Një qarje që nuk do ta bësh para një tjetri që po të thotë të vërtetën tënde të hidhur. Apo, një qeshje që tregon dorëzim përpara idesë se mund t’i heqim plehrat.

Vizitorja: Besoj se jam shpirtërisht e lidhur me idenë e lëvizjeve “grassroots”, që do të thotë ne mundemi të heqim plehrat nga varreza. (“roots of the grass” do të thotë rrënjët e barit. Nga kjo vjen shprehja grassroots, në kuptimin e lëvizjeve që vinë nga baza e shoqërisë).

Vendasja: Grassroots, që kanë lidhje me lëvizjet nga baza e shoqërisë, më duken diçka që i referohet tokës së pasur që rrit, ndryshe shumëllojshmërisë së vlerave që ushqen këto lëvizje.

Vizitorja: Është e vërtetë që termi grassroots i referohet aksionit social, që ka origjinën te njerëzit ose edhe te një njeri i vetëm, në vend të shtetit. Por, në jetën time kam parë lëvizje shoqërore të zhvillohen vetëm kur dhe ku toka ka më shumë nevojë të ushqehet. Për shembull lëvizja “Të rimarrim natën” filloi në Filadelfia më 1976-n, sepse krimi i rrugës ishte jashtë kontrollit. Qytetarët e frikësuar të një lagjeje u bashkuan të patrullonin rrugët pas vrasjes së një gruaje të re. Ata vendosën që nëse policia nuk patrullon rrugën gjithë natën ata do ta bënin vetë. A nuk është një lagje ku njerëzit kanë frikë të dalin jashtë nga lufta e bandave tokë që ka nevojë për ushqim?

Vendasja: Flas për një ushqim më të thellë. Po flisnim për mosrespektimin e të vdekurve, që do të thotë t’i mohosh kontributin, sepse një aspekt i tij ose mënyra sesi ky aspekt u përdor nuk të pëlqen. Kjo ka ndodhur përherë në historinë shqiptare. Të vrasësh kontributin e të vdekurit është t’i heqësh frymëzimin të kontribuojë një të gjalli. Në rastin e të “Rimarrim natën”, ata që ndërmorën këtë aksion kishin parë jo rrallë shembuj suksesi e vlerësimi dhe më pastaj të aksioneve të tilla apo jo?

Vizitorja: Por, ka shembuj suksesesh historike këtu në Shqipëri. Dhe si një studente e kulturës tuaj po mësoj për heronjtë tuaj, për shembull Naim Frashëri, Fan Noli, Ismail Qemali. A s’janë këto modele suksesi?

Vendasja: Fan Noli menjëherë pas revolucionit të qershorit nuk konsiderohej një shembull suksesi. Për sa i përket karrierës së tij politike shumë e konsiderojnë të dështuar. Në fakt, është përkufizimi ynë i suksesit, ose sesi i konsiderojmë kontributet që diskurajon aksionin. Suksesi ose vlerësimi i kontributit ka pasur gjithnjë lidhje me sa i shërben kujtdo është në pushtet.

Vizitorja: Atëherë ndoshta kjo është arsyeja pse lëvizjet “grassroots” nuk po ndodhin tani këtu në Shqipëri. Lëvizjet “grassroots” mund të kenë ndonjëherë rezultate politike, por nuk janë politike në atë kuptim. Po bëj një diferencim teorik, lëvizjet “grassroots” ekzistojnë pikërisht për të përjashtuar shtetin. Janë një formë alternative aksioni. Nuk është e njëjta gjë si të organizosh një protestë kundër shtetit ose si të kërkosh veprim nga shteti. Është thjesht të veprosh kur shteti nuk vepron. Është të pastrosh varrezat ku është varrosur familja jote, sepse ata, të vdekurit, janë modelet tuaja të suksesit ashtu dhe të dështimit. Ata janë kush ju formoi ju, dhe ne nuk kemi nevojë për shtetin të na tregojë çfarë të vlerësojmë apo jo.

Vendasja: Me të vërtetë në Shqipëri mungojnë lëvizjet “grassroot”, formë alternative dhe e njohur e aksionit. Kjo mungesë vjen për një seri dinamikash, një prej të cilave, politizimin ekstrem të çdo aspekti të jetës komunitare, e prekem disi më lart. Në fakt, mendoj se në demokraci të suksesshme si Holanda, Shtetet e Bashkuara, Franca, përveç lëvizjeve politike kanë qenë themelore për demokracinë lëvizjet “grassroots”. Këto janë lëvizje që sidomos në Shqipëri, jo vetëm do të bënin atë që shteti nuk e bën, por dhe atë që nuk mund ta bëjnë partitë politike.

Vizitorja: Vetëm lëvizjet “grassroots” nuk mund të zgjidhin problemet e një vendi, ashtu siç qeveria vetëm nuk mundet. Kërkon infrastrukturë qeveritare për të ndërtuar dhe menaxhuar qendra trajtimi plehrash. Por, një grup i dedikuar miqsh, shumë thasë plehrash dhe një kamion janë fillimi i çdo projekti suksesi.

Vendasja: Kjo është të përkufizosh ndryshe suksesin. Me këtë në fakt, kuptojmë sesa modele të rëndësishme suksesi janë ata të rinj që pastruan disa plazhe shqiptare. Dhe, jam tërësisht dakord me atë çfarë thua për ne dhe të vdekurit tanë. Për këtë unë do të doja që si fillim, si një hap i thjeshtë e shumë i vogël, por me kuptim, ne 4, 5 apo sa veta të bëhemi spontanisht, të shkojmë të pastrojmë si mundemi atë varrezën në Tiranë. Gjithashtu, të mbjellim pemë rreth varrezave të dëshmorëve në Shkodër që t’i ndajmë ato nga fusha e plehrave. Çdokush që prehet në këtë tokë është i yni, i detyrohemi respekt. Është aty ku fillon respekti ndaj vetvetes që ndikon të sotmen, e nëpërmjet mijëra gjesteve të vogla kontribuon në ndryshimin e të ardhmes.

Nga e ardhmja, në fakt, duket se ka hequr dorë këto ditë vendi im. “Çdo gjë ka marrë fund”, përsëritet si refren. Refreni i shpresës së vrarë, i cili i projektuar dhe në varreza i dha shkas këtij dialogu mes mikes amerikane dhe meje. Nuk deshëm të hiqnim nga shkrimi zërat, të cilët ngriheshin me dëshirën për të mësuar nga njëri-tjetri, me idenë se reflektimi i përbashkët do të na hapë dritare, me bindjen se askush nuk mëson askënd, por se në një botë ku largësitë kanë ndryshuar rrënjësisht kuptim, duam apo s’duam, ne jetojmë bashkë, lokalisht, kombëtarisht e globalisht. E kjo është në fakt, qytetaria përtej kufijve. Kufijve që ndajnë jo vetëm shtetet me njëri-tjetrin, por dhe shtetin brenda vetes. Kufijtë mes interesit personal e komunitar që na bëjnë të mendojmë se nëse plehrat s’janë afër varrit të njeriut tim atëherë ç’punë paskan prishur. Apo, nëse nuk i shërbejnë pushtetit në të cilën përfitoj unë, atëherë ç’na nevojiten varrezat e dëshmorëve. Në fakt, siç secili i gjallë sot na nevojitet, secili nga të vdekurit tanë është toka jonë e mbjellë me vlera. Një tokë që ka kuptim për të sotmen, një tokë që frymëzon aksionin qytetar, një tokë që nuk gjeneron vija ndarëse, por iniciativa bashkuese përtej shumë kufijve.